Fasha 800 kwh ende në fuqi, ERE: Kërkesa për anulimin vjen nga kompanitë e energjisë

0 229

Enti Rregullator i Energjisë ka publikuar një njoftim për shtyp drejtuar konsumatorëve familjarë, ku sqaron se fasha 800 kilovatorë është ende e aplikueshme. Sipas ERE, vendimi i 23 Shtatorit që përcakton tarifën 42 lekë për kilovat për ata që kapërcejnë fashën mbetet në fuqi për muajt nëntor dhe dhjetor.

Megjithatë, kjo nuk do të thotë se do të ketë një nisje të zbatimit të kësaj fashe pas 3 ditësh, nisur edhe nga deklaratat e qeverisë se nuk do të ketë rritje të çmimit. Ashtu sikurse në tetor, ERE mund të bëjë një mbledhje urgjente pas kërkesës nga Furnizuesi i Shërbimit Universal.

Çmimi përcaktohet nga kostot që KESH ka për të siguruar energjinë në treg, të cilën ia shet më pas OSHEE. Këtu shtohen edhe kostot e transmetimit dhe shpërndarjes, që rezultojnë në tarifën që vendos Enti.

Një ditë më parë ERE vendosi të rrëzojë kërkesën e deputetes Jorida Tabaku për të hequr fashën, me argumentin se janë kompanitë publike të energjisë ato që mund ta bëjnë një kërkesë të tillë.

Ndryshe nga momenti kur u vendos fasha, çmimi i energjisë elektrike në bursa ka rënë ndjeshëm, nga 800 euro për megavat, në rreth 190 euro për megavat.

Ndërkohë, një ditë më parë, presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, prezantoi paketën prej 80 milionë eurosh që unioni ka caktuar për t’i akorduar Shqipërisë për të përballuar krizën energjetike. Megjithatë, kryeministri Rama theksoi se kjo është vetëm një e gjashta e sasisë së parave që i duhen vendit për të lënë të pandryshuar çmimin e energjisë.

 

Leave A Reply

Your email address will not be published.