20 ditë nga ekzekutimi i bujshëm i Bujar Likës dhe Paulin Gjergjit në Kurbin, Policia e Shtetit bën me dije se është vënë në pranga autori kryesor. Ai është Eduard Lamaj. 30-vjeçari ka pranuar përfshirjen në ngjarje, duke thënë se pronari i hotelit, vëllai i Bujar Likës i kishte borxh. Ai ka vijuar më tej duke thënë se nuk kishte qëllim t’i vriste por ato hapën zjarr për këtë arsye ka qëlluar.
Lamaj është paraqitur mbrëmjen e së hënës në një spital privat i plagosur dhe pas kontrolleve mjekësore, bluzat e bardha dolën në përfundimin se plaga është hapur para 20 ditësh dhe përkon me kohën kur është kryer atentati.
Dyshimet janë ngritur edhe më shumë për faktin se Lamaj ka dhënë identitet të rremë në spital. Mësohet se ai ka qenë i veshur me antiplumb por paçka kësaj, mori një plumb në këmbë. Ai qëndroi për 3 javë i fshehur. Vëzhgimi nga policia i familjes së tij, zbuloi edhe skemën, ndërsa deri më tani autori i ngjarjes njihej Kreshnik Tushe, 20-vjeç, i cili u arrestua rastësisht natën e ngjarjes, pasi shkoi i plagosur në spitalin e Lezhës.
10 mijë euro mjekëve
30-vjeçari u dërgua në një klinikë private nga familjarët e tij dhe rastin e morën përsipër dy mjekë. Një ortoped i Lezhës dhe një kirurg i spitalit Ushtarakët, të cilët kishin pranuar që të kryenin operacionin, pa e referuar ngjarjen në Polici kundrejt një shume prej 10 mijë eurosh. Për këtë arsye, dy mjekët janë arrestuar nga Policia. Operacionin e kishin planifikuar tek një spital privat pranë “Qytet Studenti” në Tiranë por familjarët e të riut kanë qenë gjatë gjithë kohës në vëzhgim për çdo lëvizje që kryenin. Dy mjekët e identifikuar me inicialet V.M, 42-vjeç dhe B.L, 46-vjeç, u vunë në pranga ndaj të cilëve rëndojnë akuzat për dy vepra penale, atë për “moskallëzim krimi” dhe “veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Krimi
Bujar Hasani Lika u ekzekutua më 30 maj në lokalin e vëllait të tij në Laç së bashku me biznesmenin Paulin Markaj alias Gjergji. Një person i veshur si polic, qëlloi në drejtim të tavolinës ku ishte Bujari dhe Pauli. Nga analizimi i pamjeve filmike, dallohet qartë se Bujar Hasani, ka reaguar menjëherë me armë pistoletë duke qëlluar mbi agresorin.
Ky i fundit edhe pse u rrëzua, hapi zjarr me automatik teksa ndodhej i shtrirë, duke vrarë në vend Likën dhe plagosi rëndë Gjergjin, i cili më pas gjeti vdekjen në spitalin e Traumës. Kamerat kanë fiksuar edhe tre autorët e veshur si policë teksa tërheqin personin e katërt të plagosur, duke e hipur në një makinë.
Bujar Lika kishte në pronësi lokalin “Dea Cafe” në zonën e ish-Bllokut. Biznesin në Tiranë e kishte në emër të motrës Ardiana Toqi. 37-vjeçari rezulton një emër i njohur për policinë, pasi në vitin 2015 ishte mes të hetuarve për vrasjen e Enton Nikajt në Dajt. Për vrasjen e Nikajt fillimisht nga Shkalla e Parë në 2016 u dënua me1 vit burg. Në Apel ai mori pafajësi. Lika ishte mik i ngushtë i Ervis Martinajt, gjithashtu emër i njohur pas ngjarjes së 2018 në ish-Bllok. Paulin Gjergji ka pasur kazino “Vegas” në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, në rrugën “Sami Frashëri”.