Deri në 18 maj do hapet 90% e aktiviteteve, ja çfarë thonë ekspertët e Shëndetësisë

0 437

Kryeministri Edi Rama zhvilloi këtë të enjte një mbledhje online me Komitetin Teknik të Ekspertëve për situatën që po kalon vendi për shkak të pandemisë së Covid-19. Kreu i qeverisë u njoh nga mjekët ekspertë të fushës me zhvillimet e fundit dhe diskutoi me ta për masat që duhen ndërmarrë në një kohë kur nga java tjetër nis lehtësimi i masave dhe për shumë aktivitete të tjerë. Sipas Ramës është e rëndësishme që njerëzit të vazhdojnë të ndjekin rregullat e thjeshta për të shmangur goditjen nga një valë e dytë virusi.

Raportimet e anëtarëve të Komitetit Teknik

Mjeku Dritan Kalo

“Hapja të mos nënkuptojë shqyerje. Njerëzit duhet të vazhdojnë të jetojnë në një mjedis të ri tashmë sipas Covid-19. Nëse zbatohen këto rregulla atëherë do të mbetemi në situatë normale. Them se jemi në momente oportune që duhen ruajtur dhe nuk duhen shkelur”.

Kryeministri Edi Rama

“E kam dëgjuar opinion tuaj dhe jam i shqetësuar se njerëzit mund të harrojnë që e kemi mes nesh këtë armik të padukshëm dhe nëse nuk zbatojmë rregullat e thjeshta mund të biem pre e një invazioni tjetër. Sepse vala e dytë, siç kam dëgjuar, vjen si pasojë e sjelljes keq të njerëzve ndaj virusit që aktualisht ndodhet mes nesh. Njerëzit të ndjekin rregullat e thjeshta në ambientet e mbyllura me shumë njerëz”.

Silva Bino

“Kemi trefishuar numrin e testimeve, kemi një indikator 5% pozitivitet. Ky indikator duhet të ruhet. Po marrim masa të rrisim numrin e testime dhe të gjejmë raste aktive të virusit. Po përdorim disa metodika të reja, duke integruar mjekun e familjes. Kemi përforcuar shërbimin e gjurmimit të kontakteve. Kemi dy qytete ku ka transmetim të virusit që janë Tirana dhe Kruja. Qytetet e Gjelbërta janë pa raste, por edhe aty do të rrisim testimet”.

Doktoresha Albana Fico

“Prioritet është gjurmimi i thelluar i rasteve. Po monitorojmë raportin e rasteve pozitive dhe numrin e të shëruarve. Po rrisim testimet pa diskutim. Duhet të angazhohemi për një fushatë komunikimi në dritën e masave lehtësuese. Besoj se kjo fushatë senzibilizuese do të na duhet. Kanë përfunduar protokollet për hapjen e bizneseve të reja”.

Kryeministri Edi Rama

“Deri në 18 maj ne do të jemi mbi 90% të liruar nga masat. E vetmja gjë që mbetet shqetësim është transporti publik me autobusë dhe furgona. Po kërkojmë një formulë kompromisi lidhur me këtë. E gjitha pjesa tjetër do të çlirohet ndjeshëm duke evituar grumbullimet me mbi 10 persona. Do të jemi tërësisht të ekspozuar dhe duhet të kemi një intesitet komunikimi”.

Doktoresha Najada Çomo

“Numri i personave ka qenë mbi 250 të shtruar, 170 janë shëruar, 7 persona janë në terapi intensive, të tjerët janë të rënduar. Këtyre personave iu ofrohet shërbimi i duhur në bazë të protokollove ndërkombëtare. Vëmendja është e lartë”.

Leave A Reply

Your email address will not be published.