Dashuria…

0 167

Nga Albert Vataj

Pothuajse asnjëherë nuk mund të jesh një poet apo një krijues, një tokësor me të hyjshëm që të gurron në limfë, pa dashuruar në mënyrë madhështore ose pa patur të paktën një aftësi të madhe për të dashuruar, pa e prekur qiellin në çdo copëz ëndjeje që të kall, pa e mbushur me shkëlqimin magjepsës të yjeve çdo çast që të bën të ndjehesh shkëndi.

Dëlirësia e detyruar apo e dëshiruar, mund ta fshehë dashurinë, mund ta vesh atë me cohën e hollë të së magjishmes, mund ta strukë nën petalet e një luleje që shihet me sytë që e adhurojnë, apo në sythin e një gufimi të pranverës që beh si një lajmës.

Atje poshtë, thellë në zemër, atje ku vërshojnë përrenjtë flakatar të gjakut, në një altar të stolisur me dritëza yjesh, zemra, ajo zemër që druhet prej syve që e ledhin, ajo zemër që gjëmon prej buzëve që prekin, ajo zemër që ndalon kur afshi i derdhet si një curril vese mbi kurm, ajo zemër ngjiz dhe lind dhjetëra përfytyrime që i ngjajnë më shumë një engjëlli se sa një gruaje, një dritimi që shpërthen në prekjen e ndrojtur të zotërimit.
Është ai çast që na bën të ndjehemi të mrekulluar prej të magjishmes, ai çast që zgjon prej thellë nesh atë të panjohur ngasëse që shprehet përmes fjalësh të ëmbëlsuara me polenin e luleve, përmes penelatave të ngjyra në harqet e ylbereve, melodive që të magjepsin si shkumëzimi i ujëvarave.

Të gjithë e ndjejmë, e prekim, e shijojmë, jemi përjetues të asaj dashurie që lind dhe na përkund në shkulmin e një drite që shpërthen brenda nesh e na çel në çdo pore, në çdo ëndje që zgjon pasioni.

 

Leave A Reply

Your email address will not be published.