COVID-19, përditësimet e fundit nga CDC. Si të silleni gjatë pandemisë

0 368

Numri i të vdekurve nga koronavirusi në botë e ka kaluar shifrën 110 mijë dhe numri i rasteve të konfirmuara i të prekurve nga virusi ka arritur afro mbi 1 milionë e 800 mijë njerëz sipas të dhënave të Universitetit John Hopkins. Nga dita në ditë mësohet diçka më shumë për këtë virus dhe si të mbrohemi.

Materiali i mëposhtëm, i përgatitur nga Zëri i Amerikës i referohet të dhënave nga CDC (Qendrat e Shteteve të Bashkuara për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve). Koronavirusi i ri besohet se e ka origjinën në një treg në Wuhan të Kinës, ku shiten kafshë të egra.

Simptomat

COVID-19, që i përket familjes së gjerë të koronavirusëve, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019. Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje. Këto simptoma mund të shfaqen 2 deri 14 ditë pas ekspozimit (bazuar në periudhën e inkubacionit të viruseve MERS/SARS).

Përhapja nga njeriu tek njeriu

COVID-19 përhapet kryesisht nga njeriu tek njeriu: midis njerëzve që janë në kontakt të ngushtë me njëri-tjetrin (brenda 2 metrave), nëpërmjet stërkalave të prodhuara kur një person i infektuar kollitet, teshtin ose flet. Ruajtja e distancës është shumë e rëndësishme në parandalimin e përhapjes së COVID-19.

VIDEO LINK ( https://www.facebook.com/zeriamerikes/videos/878353132587644/?epa=SEARCH_BOX)

Mund të përhapet nga kontakti me sipërfaqe ose objekte të ndotura

Mund të jetë e mundur, që një njeri të marrë COVID-19 duke prekur një sipërfaqe ose objekt që ka virusin dhe pastaj të prekë gojën, hundën ose ndoshta sytë. Kjo nuk mendohet të jetë mënyra kryesore e përhapjes së virusit. CDC rekomandon që njerëzit të praktikojnë “higjenën e duarve”, të lajnë duart shpesh me sapun dhe ujë ose të përdorin produkte me bazë alkooli. CDC rekomandon gjithashtu pastrim sistematik të sipërfaqeve që preken shpesh.

Sa lehtë përhapet virusi

Virusi që shkakton COVID-19 po përhapet shumë lehtë dhe është i qëndrueshëm midis njerëzve. Informacionet e deritanishme tregojnë se COVID-19 po përhapet me më shumë shpejtësi se gripi, por jo aq sa fruthi, i cili është shumë ngjitës.

Si të mbroni veten dhe të tjerët

-Pastroni duart shpesh

Lani duart shpesh me sapun dhe ujë për të paktën 20 sekonda, posaçërisht pasi keni qenë në një vend publik. Nëse sapuni dhe uji nuk janë të disponueshëm, përdorni dezinfektues që përmban të paktën 60% alkool. Shmangni prekjen e syve, hundës dhe gojës me duar të palara.

-Shmangni kontaktin e ngushtë

-Qëndroni në shtëpi sa më shumë që të jetë e mundur. Mbani të paktën 2 metra distancë nga njerëzit e tjerë. Mos harroni se disa njerëz, edhe pse pa simptoma mund të jenë në gjendje të përhapin virusin.

Distancimi social

-Përdorni maskë

Ju mund të përhapni COVID-19 tek të tjerët edhe nëse nuk ndieheni të sëmurë.

Të gjithë duhet të përdorin një maskë kur duhet të dalin në publik, për shembull në dyqan.

Maskat nuk duhet të përdoren tek fëmijët e vegjël nën moshën 2 vjeç, apo tek ata që kanë probleme me frymëmarrjen.

-Kur kolliteni apo teshtini, përdorni një pecetë. Mos harroni të mbuloni gjithmonë gojën dhe hundën, dhe nëse nuk keni një pecetë përdorni pjesën e brendshme të bërrylit tuaj. Lani menjëherë duart tuaja me sapun dhe ujë për të paktën 20 sekonda.

-Pastroni dhe dezinfektoni

Pastroni dhe dezinfektoni sipërfaqet e prekura më shpesh çdo ditë. Këtu përfshihet tavolina, çelësat e derës, doreza, telefonat, tastierat, rubinetat dhe lavamanët.

Si të përgatis një maskë në kushte shtëpie

Si të përgatiteni për t’u përballur me COVID-19 dhe stresin gjatë pandemisë

Merrni informacion të përditësuar nga zyrtarët e shëndetit publik. Përgatituni se mund të prekeni nga COVID-19. Zgjidhni një dhomë në shtëpinë tuaj që mund të përdoret për të ndarë anëtarët e sëmurë të familjes nga të tjerët. Merrni hapa të përditshëm parandalues: Lani duart shpesh; Shmangni prekjen e syve, hundës dhe gojës; Pastroni dhe dezinfektoni objektet dhe sipërfaqet e prekura shpesh

-Mundohuni të blini gjërat e domosdoshme në internet dhe të evitoni daljet e shpeshta në supermarkete. Kjo do të kufizojë ekspozimin tuaj si dhe infektimin e të tjerëve nëse ju jeni I prekur. Nëse duhet të shkoni personalisht, ruani distancën sociale dhe përdorni një maskë. Shkoni gjatë orarit kur më pak njerëz, për shembull: në mëngjes herët ose natën vonë. Dezinfektoni karrocën e blerjeve. Mos prekni sytë, hundën ose gojën.

Nëse është e mundur përdorni pagesa pa prekje (paguani pa prekur para, një kartë ose një tastierë). Lani duart kur të ktheheni në shtëpi.

-Veprimet bankare, mundohuni t’i bëni në internet . Nëse duhet të vizitoni bankën, përdorni bankomatin (ATM). Pastroni tastierën e bankomatit para se ta përdorni.Kur të keni mbaruar, përdorni një dezinfektues me të paktën 60% alkool. Lani duart tuaja me sapun dhe ujë për të paktën 20 sekonda kur të ktheheni në shtëpi.

Menaxhimi i stresit

Frika dhe ankthi për një sëmundje mund të jenë dërrmuese dhe të shkaktojnë emocione të forta tek të rriturit dhe fëmijët. Stresi gjatë një shpërthimi të sëmundjes infektive mund të përfshijë:

-Frikësoheni dhe shqetësohuni për shëndetin tuaj dhe shëndetin e të afërmve tuaj

-Ndryshime në orarin e gjumit ose mënyrat e të ngrënit

-Vështirësi në gjumë ose përqendrim

-Përkeqësimi i kushteve të shëndetit mendor

-Përdorimi i shtuar i alkoolit, duhanit ose drogave të tjera

Të kujdesesh për veten, miqtë dhe familjen tënde mund të të ndihmojnë të përballesh stresin.

Mënyrat më të mira për të përballuar stresin:

-Mos dëgjo apo lexo vazhdimisht lajme, sidomos nga mediat sociale. Dëgjimi apo leximi për pandeminë në mënyrë të përsëritur mund të jetë shqetësuese.

-Kujdesuni për trupin tuaj, merrni frymë thellë

-Mundohuni të hani ushqime të shëndetshme

-Bëni ushtrime në shtëpi

-Shmangni alkoolin dhe lloje të ndryshme të drogës

-Bisedoni me njerëz që keni besim në lidhje me shqetësimet tuaja dhe si po ndiheni

COVID-19 dhe fëmijët

Simptomat janë të ngjashme edhe tek fëmijët. Sidoqoftë, fëmijët me COVID-19 të konfirmuar në përgjithësi kanë shfaqur simptoma të lehta. Mësojini fëmijët tuaj si të qëndrojnë shëndetshëm.

Pastroni duar shpesh, pastroni lodrat e tyre. Praktikoni distancimin shoqëror edhe për fëmijët dhe mundohuni që të flasin disa herë në ditë me miqtë e tyre me kamera. Ndryshoni planet e pushimeve. Nëse fëmijët takohen në grupe, kjo mund t’i rrezikojë të gjithë. Fëmijët me COVID-19 mund të kenë vetëm simptoma të lehta, por ata akoma mund ta kalojnë këtë virus tek të tjerët që mund të jenë në rrezik më të lartë, prandaj në këto kohë është mirë distancimi nga të moshuarit.

Si ndikon temperatura për COVID-19

Ende nuk dihet nëse moti dhe temperatura ndikojnë në përhapjen e COVID-19. Disa viruse të tjerë, si gripi, përhapen më shumë gjatë muajve të motit të ftohtë, por kjo nuk do të thotë se është e pamundur të sëmureni me këto viruse gjatë muajve të tjerë. Deri tani nuk dihet nëse përhapja e COVID-19 do të bjerë kur moti të bëhet më i ngrohtë.

Cila kategori është më e rrezikuar

Informacioni i mbledhur që kur u zbulua COVID-19 thekson se disa njerëz janë janë më të rrezikuar. Të moshuarit janë më të ekspozuar ndaj infektimit. Po ashtu, të rrezikuar janë edhe ata që kanë sëmundje kronike si ato të zemrës, diabeti apo sëmundja të mushkërive. Nëse përfshiheni në këto kategori merrni masa (furnizime në ushqime) dhe mos dilni në publik. Nëse keni simptomat e para atëherë njoftoni menjëherë mjekun.

 

Leave A Reply

Your email address will not be published.