Çfarë duhet të dini për zgjedhjet e mesmandatit në SHBA

0 224

Miliona amerikanë kanë hedhur tashmë votat në zgjedhjet e mesmandatit, personalisht ose përmes postës. Ndërsa, miliona të tjerë pritet ta bëjnë këtë sot, e martë, në vendvotimet përkatëse të tyre.

Ja çfarë duhet të dini për zgjedhjet e mesmandatit në SHBA, që do të vendosin se kush do ta kontrollojë Kongresin amerikan nga janari.

Cilat gara janë në fletëvotime?

Secila ulëse në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së është në garë këtë vit, bashkë me rreth një të tretën e ulëseve të Senatit. Në garë është kontrolli i të dyja dhomave të Kongresit, ndërsa aktualisht ato janë nën udhëheqjen e demokratëve.

Këtë vit, votuesit në shumicën e shteteve gjithashtu do të zgjedhin guvernatorë. Ata do të fillojnë mandatin e tyre në vitin 2024, kur do të zhvillohen edhe zgjedhjet presidenciale të radhës dhe mund t’i ndikojnë ligjet e zgjedhjeve apo të certifikatave për votim.

Gjithashtu, në zgjedhje po garojnë edhe shumë zyrtarë legjislativë shtetërorë dhe nga autoritetet lokale.

Si bëhet votimi?

Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë një sistem tejet të decentralizuar të zgjedhjeve, pasi që zyrtarë lokalë janë përgjegjës për mbarëvajtjen e votimeve dhe numërimin e rezultateve, ndërsa shtetet i certifikojnë ato.

Jo të gjitha shtetet votojnë në të njëjtën mënyrë. Disa votojnë vetëm me fletëvotime përmes postës, ndërsa disa kanë sisteme të përziera mes votave përmes postës dhe atyre në vendvotime. Disa shtete kanë edhe periudha kohore ku qytetasit mund të hedhin votat e tyre para ditës së zgjedhjes.

Sa mund të zgjasë procesi?

Nuk ka ndonjë agjenci federale qeveritare që tregon se kush i ka fituar zgjedhjet menjëherë dhe shtetet e ndryshme i numërojnë fletëvotimet në periudha të ndryshme kohore. Kjo do të thotë se mund të marrë më shumë kohë për ta shpallur fituesin në disa vende. Në kohëzgjatjen e shpalljes së fituesit mund të luajnë rol edhe rregullat e ndryshme se kur bëhen rinumërimet apo balotazhet potenciale.

Disa shtete, si Pensilvania dhe Uiskonsini, nuk i lejojnë zyrtarët t’i numërojnë dhe verifikojnë votat e hedhura përmes postës deri në ditën e zgjedhjes. Ndërsa, disa shtete lejojnë edhe një periudhë kohore edhe pas ditës së zgjedhjes për verifikimin e fletëvotimeve që janë dorëzuar në postë para këtij afati.

Kjo nënkupton se fituesi i secilës garë nuk pritet të zbulohet qysh në natën e zgjedhjeve.

Agjencia e lajmeve Associated Press raporton për fituesin kur vlerëson se është një fitues i qartë. Por, sipas ekspertëve, asnjë shtet nuk do të publikojë rezultate përfundimtare qysh në natën e zgjedhjeve, gjë që nuk është bërë ndonjëherë në historinë moderne.

Cilat janë rezultatet e mundshme dhe çfarë pasoja mund të kenë?

Demokratët dhe republikanët mund ta ndajnë kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit, ose një parti mund ta marrë kontrollin e të dyja dhomave. Demokratët e kanë udhëhequr Dhomën e Përfaqësuesve që nga zgjedhjet e vitit 2018, të mbajtura gjatë administrimit të ish-presidentit amerikan, Donald Trump.

Republikanët pritet ta fitojnë Dhomën e Përfaqësuesve shkaku i zhgënjimit të votuesve me gjendjen ekonomike dhe ndarjen e distrikteve. Dhoma e udhëhequr nga republikanët do ta pengonte agjendën e presidentit Joe Biden.

Ndërsa, kontrolli i Senatit, të cilin demokratët e udhëheqin me një epërsi të vogël, është ende i paqartë. Bëhet fjalë për procese si shtyrja para e legjislacioneve dhe nominimeve presidenciale, si gjykatës apo zyrtarë të kabinetit.

Si shef ekzekutiv, Biden megjithatë posedon fuqinë e vetos, pavarësisht se kush e merr kontrollin e Kongresit./ REL

Leave A Reply

Your email address will not be published.