CDU dhe CSU debatojnë strategjinë e tyre ndaj të huajve

0 137

Gjermania është një vend imigrantësh dhe punëtorët e kualifikuar nga vendet e tjera janë të mirëpritur. Me këtë konstatim pajtohen partitë në pushtet SPD, të Gjelbrit dhe FDP. Por me këtë strategji pajtohet edhe grupi i deputetëve të Unionit CDU/CSU, që tani është grupi më i madh opozitar në Bundestag, ndonëse deputetët opozitarë duan të vendosin kufij të qartë në lidhje me migrimin dhe integrimin.

Sot mbahet takimi i parë i deputetëve të këtij Unioni, ku duhet të hartohet edhe një kurs të qartë i partive CDU/CSU për këtë çështje. Kristiandemokratët dhe kristiansocialët kanë ftuar edhe ekspertë të çështjeve të emigracionit në takimet e tyre.

Andrea Lindholz, nënkryetare e grupit parlamentar të CDU/CSU, tashmë sheh një dakordim të mundshëm në shumë fusha. Në të njëjtën kohë, politikanja e CSU-së bavareze pranon: “Sigurisht që përmes debateve të kaluara na është dashur të heqim dorë nga disa qëndrime të mëparshme”. Tani, sipas Andrea Lindholz, bëhet fjalë për unifikimin e qëndrimeve. Edhe kur CDU dhe CSU ishin në pushtet, pikëpamjet brenda këtyre partive ndryshonin diametralisht. Kancelarja Angela Merkel (CDU) hapi kufijtë për refugjatët në vitin 2015, ndërsa ministri i Brendshëm Horst Seehofer (CSU) pak kohë më pas bëri thirrje që të përcaktohet kufiri më i lartë i refugjatëve që mund të vijnë në vend. CDU dhe CSU tani po kërkojnë një kurs të përbashkët për çështjen.

Tone të ashpra apo mirëkuptim?

Kryetari i CDU-së, Friedrich Merz deri më tani ka rënë në sy për tonet e tij më të ashpra në lidhje me politikën ndaj migrantëve. Vjeshtën e kaluar ai akuzoi refugjatët nga Ukraina për “turizëm social”, për të cilin iu desh të kërkonte falje të nesërmen. Pas incidenteve të Vitit të Ri në Berlin, ku të rinjtë kanë sulmuar policinë dhe zjarrëfikësit me mjete piroteknike, Merz foli për “pashatë e vegjël” dhe bëri thirrje për pasoja të rënda për të rinjtë, me origjinë nga bota arabe, të cilët nuk respektojnë ligjin dhe rregulloret gjermane. “Nëse nuk respektoni ligjet, duhet ta dini se nuk keni asgjë për të kërkuar në këtë vend,” tha Merz dy javë më parë në ZDF, një tjetër program televiziv gjerman.

Merz merr shumë mbështetje nga radhët e partisë së tij pikërisht për shkak të qëndrimeve të qarta. Por toni i tij ka shkaktuar kritika, edhe nëse pak e kanë shprehur atë aq troç sa Daniel Günther, kryeministri i Schleswig-Holstein. Ky politikan i CDU-së ka kërkuar në gazetën “Tagesspiegel” që partia e tij të jetë më kozmopolite, ta shikojë më pozitivisht emigracionin dhe të shprehet më me sens. “Unë jam dakord me të,” tha për ZDF sekretari i përgjithshëm i CDU, Mario Czaja. Ai vuri në dukje domosdoshmërinë e imigrimit të të huajve, përkatësisht punëtorëve të kualifikuar, të cilët duhet të integrohen në tregun e punës. “Kjo është arsyeja pse ne duhet të “jetojmë një kulturë të përkatësisë, përfshirjes, në të cilën ne krijojmë njësoj integrimin”, theksoi Mario Czaja.

Deputetët me qëndrime të kundërta

Fakti që kristiandemokratët nuk kanë ende një qëndrim të përbashkët u bë i dukshëm edhe në Bundestag dhjetorin e kaluar. Koalicioni qeverisës, i përbërë nga SPD, të Gjelbrit dhe FDP, prezantoi planet e tij për t’u dhënë refugjatëve të mirëintegruar, të cilët në Gjermani jetojnë me “Duldung” për të paktën pesë vjet, të drejtën e qëndrimit të përhershëm dhe integrimin në tregun e punës. CDU/CSU votuan kundër – por 20 deputetë të këtij grupi parlamentar abstenuan sepse i konsideronin planet e koalicionit qeverisës kryesisht të mira. Andrea Lindholz flet për pikëpamje të ndryshme, por që partitë duhet të tolerojnë edhe mendimet e tjera.

Por Lindholz nënvizon se këto nuk janë ndarje të thella, sepse në parim të gjithë janë dakord se nevojitet imigrim i synuar i punëtorëve të kualifikuar, por jo imigrim i paligjshëm dhe i pakontrolluar. Në javët e ardhshme, CDU dhe CSU duan të përcaktojnë qartë kursin e tyre. Kjo është me rëndësi, sepse sprova e radhës po afron. SPD, të Gjelbrit dhe FDP duan ta bëjnë më të lehtë për migrantët edhe marrjen e shtetësisë dhe dyshtetësinë në pranverë.

Leave A Reply

Your email address will not be published.