BBC reportazh për emigrantët, intervistë me të riun në Tiranë: Do të doja të mos e kisha provuar kurrë!

0 22

Emigrantët shqiptarë, kanë marrë jo pak vëmendjen e mediave të huaja. Së fundmi BBC i ka kushtuar një artikull emigracionit të paligjshëm.

BBC ka realizuar një reportazh në Tiranë, ku edhe ka zhvilluar një intervistë me një emigrant, i cili është dëbuar nga shteti britanik sapo ai shkeli tokën atje.

Ai u kishte paguar kontrabandistëve kurdë rreth 3,500 paund ose 4,169 dollarë për udhëtimin e rrezikshëm nëpër kanalin anglez, duke marrë hua paratë nga miqtë dhe familja.

“Artanin e takuam në një zonë periferike industriale të kryeqytetit shqiptar. Nuk është emri i tij i vërtetë pasi identiteti i tij ka nevojë për mbrojtje nga frika e hakmarrjeve. Në fillim të të 30-tave, ai kishte një figurë joshëse”, përshkruan BBC.

Për rrjetin britanik ai ka treguar të gjitha peripecitë, ndërsa shprehet se trafikantët i kërcënonin.

“Trafikantët ishin të armatosur me thika dhe pistoleta. Ata na kërcënonin vazhdimisht, duke thënë të mos filmonim asgjë dhe as të mos pini cigare”, tregon i riu shqiptar, i cili pavarësisht kërcënimit, kishte arritur të regjistronte disa pamje nga udhëtimi i tij nëpër Kanal.

“Udhëtimi përtej Kanalit ishte torturë”, kujtoi Artani, duke shtuar se “ishte ftohtë, stuhi dhe tepër e frikshme”.

“Një varkë e policisë franceze u shfaq 20 minuta në udhëtimin tonë. Ata na shoqëruan nga një distancë ndoshta 200 metra, vetëm duke vëzhguar. Ata qëndruan për tre orë, ndoshta më shumë. Më pas kaluam në ujërat e Mbretërisë së Bashkuar dhe thirrëm policinë britanike.”

Më tej, Artani kujton se si autoritetet britanike i ndihmuan të dilnin të sigurt në breg.

“Ata na thanë se po vinin për të na marrë, se nuk duhet të na zërë paniku. Ata u sollën mirë dhe u dukën shumë mikpritës dhe të sjellshëm. Ne u hodhëm në varkën e policisë në Mbretërinë e Bashkuar ku morëm jelekët e shpëtimit”, tregoi ai për BBC.

Emigranti shqiptar hedh poshtë pretendimin e Sekretares së Brendshme se ata janë pushtues, ndërsa tregon arsyen pse kishte shkuar në Angli.

“I thashë gruas që më intervistoi: E di që kam hyrë ilegalisht, por nuk kam ardhur për qejf. Kam ardhur se dua të punoj. Nuk kam kërkuar azil. Unë u thashë atyre se jam një emigrant ekonomik. Babai im është invalid. Prej 15 vitesh ai jeton me pensionin e një invalidi, nuk mjafton për të blerë ilaçet e tij.”

Më tej ai rrëfen se e dinte që ka edhe rrugë ligjore, por të shkuar, por zgjodhi ilegalitetin për të shkuar më shpejt.

“Po ka rrugë ligjore, por unë nxitova. Shkova për mënyrën më të shpejtë dhe më të lirë. Viza duhet të ishte më e lirë, por kisha nevojë për ndihmë me aplikimin dhe njerëzit paguajnë më shumë për këtë sesa udhëtimin me gomone”, tha ai.

BBC shkruan se një nga arsyet pse Artani u deportua ishte se ai ishte i sinqertë për arsyet e tij të udhëtimit në Mbretërinë e Bashkuar. Ai nuk u përpoq të kërkonte azil, ai këmbënguli se ishte atje për të punuar.

Artani pranon se ka shkelur ligjin e Mbretërisë së Bashkuar dhe kjo ishte arsyeja pse ai u dëbua. Përveçse u dëbua, ai tani është i ndaluar nga vendet e tjera evropiane për tre vitet e ardhshme.

“Kam qarë gjatë gjithë udhëtimit, që nga momenti që hipa në atë autobus dhe kuptova se po më dëbonin, deri sa mbërrita në Shqipëri”, tha ai.

Ai tani beson se kushdo tjetër që mendon për një udhëtim të tillë do të ishte më mirë të mos e bëntë.

“Ishte një terror i paimagjinueshëm. Me siguri do të thoja që mos zgjidhni gomonen. Nëse ka një rrugë ligjore, me vizë, atëherë po largohuni, por ju lutem mos mendoni kurrë të largoheni me gomone”, u shpreh shqiptari për BBC.

Leave A Reply

Your email address will not be published.