Banka Botërore indekson me 21% kufirin e varfërisë, e çon në 6.85 USD nga 5.5 që ishte në 2021

0 140

Rritja e çmimeve të mallrave dhe shërbimeve në rekorde historike në të gjithë botën njëkohësisht ka rënduar kostot e jetesës për familjet më të varfra.

Nisur nga situata e re që ka krijuar inflacioni i lartë Banka Botërore ka indeksuar kufijtë varfërisë këtë duke marrë në konsideratë zhvillimet në inflacion.

Kufiri i varfërisë në vendet me të ardhura të mesatare ku bën pjesë edhe Shqipëria u rrit në 6.85 USD në ditë nga 5.5 USD në ditë (e matur sipas barazisë së fuqisë blerëse) që ishte vitin e kaluar, me një indeksim me 21 për qind. Në vëzhgimet e saj për çmimet Banka ka vërejtur se shtresat e varfra ishin me të goditurat nga inflacioni, prandaj të ardhurat e tyre janë më të cenueshme.

Me përllogaritjen e re çdo shqiptar që shpenzon më pak se 6.85 USD në ditë quhet i varfër me 2022. Qoftë edhe statistikisht varfëria si fenomen mund të rritet në Shqipëri nga indeksimi i kufirit të varfërisë.

Rritja e të ardhurave më ritme më të ulëta se inflacioni i ka vështirësuar më tej gjendjen ekonomike në familjet më të varfra në vend. Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave tregojnë se shpenzimet për ndihmën ekonomie, (zëri që mbështet familjet më të varfra) në 9 mujorin 2022 ishin më të ulëta në vlerë se në të njëjtën periudhe të vitit të kaluar. Shpenzimet qeveritare për këtë zë në janar-shtator 2022 ranë me 1.5% në raport me faktin e të njëjtës periudhe të një viti më parë.

Në vendet e varfra me të ardhura të ulëta kufiri i ri i varfërisë arriti në 2,15 dollarë amerikanë për person në ditë, nga rreth 1.5 dollarë që ishte më parë, në vendet me të ardhura mesatare të ulëta kufiri i ri i varfërisë është 3,65 dollarë në ditë.

Banka përllogariti se, më shumë se 23 % e popullsisë së vendit jeton në varfëri në vitin 2022, por fenomeni pritet të zgjerohet më tej me rreth 8.4% nga kriza e çmimeve të larta. Edhe në perspektiven afatmesme Shqipëria do të mbetet si vendi me varfërinë më të lartë në rajon, por edhe më gjere në Europë.

Nga viti 2012 në vitin 2020 të gjitha vendet e Rajonit të Ballkanit Perëndimor kanë prosperuar duke rritur shpenzimet e tyre për frymë në raport me mesataren e Bashkimit Europian, përveç Shqipërisë. Shpenzimet për frymë në vendin tonë në vitin 2020 ishin sa rreth 31% e mesatares së BE, pothuajse njësoj si në vitin 2012./Monitor/

Leave A Reply

Your email address will not be published.