Arrestohet Matteo Messina Denaro, i fundit i bosëve të mëdhenj të mafias italiane

0 135

Matteo Messina Denaro, bosi aktual i “Cosa Nostra”-s, një ndër njerëzit më të kërkuar në botë është arrestuar nga autoritetet italiane, raportuan mediat lokale këtë të Hënë.

Denaro ishte shpallur në kërkim prej 30 vitesh për një numër të madh ngjarjesh, dhe arestimi i tij ndodhi në një klinikë private në Palermo. Operacioni, sipas mediave lokale, drejtohej nga Prokurori i Palermos Maurizio De Lucia dhe nga zëvendës-prokurori Paolo Guidi.

Matteo Messina Denaro kishte shkuar në klinikën private “për t’iu nënshtruar një terapie”, konfirmoi komandanti i karabinierëve Pasquale Angelosanto.

Djali i bosit të vjetër mafioz të Castelvetrano, aleat historik i korleonezëve të Totò Riina-s, Matteo Messina Denaro ishte në arrati që nga vera e vitit 1993, kur në një letër që i kishte shkruar të dashurës së tij në atë kohë, Angela, pas masakrave mafioze në Romë, Milano dhe Firence, paralajmëroi fillimin e jetës së tij të re.

“Do të dëgjosh për mua – i shkruante ai, duke lënë të kuptohet se ishte i vetëdijshëm që menjëherë pas kësaj emri i tij do të lidhej me gjakderdhje të rënda – ata do të më pikturojnë si një djall, por të gjitha janë gënjeshtra”.

Bosi mafioz i Trapanit u dënua me burgim të përjetshëm për dhjetëra vrasje, përfshirë atë të vogëlushit Giuseppe Di Matteo, djalit të një të penduari, i mbytur dhe tretur në acid pas gati dy vitesh robëri, për masakrat e ’92, të cilat i kushtuan jetën gjyqtarëve Falcone dhe Borsellino, dhe për atentatet e vitit 1993 në Milano, Firence dhe Romë.

Messina Denaro ishte “bosi i fundit i madh i mafias ende në kërkim”, raporton “ANSA”.

Qindra oficerë të zbatimit të ligjit janë përfshirë në aksione për arrestimin e tij ndër vite. Sot e kapën, duke i dhënë fund arratisjes. Një arratisje rekord, si ajo e aleatëve të tij besnikë Totò Riina, i cili u shpëtoi prangave për 23 vjet dhe Bernando Provenzano, i cili arriti të shmangte burgun për 38 vjet.

Mbi Matteo Messina Denaro dihen shumë gjëra. Për shembull, dihet se ai vuan pak nga strabizmi, se i pëlqen ëmbëlsirat, dhe se e kalon shumicën e orëve në arrati duke luajtur video-lojëra (e dëshmuar kjo nga disa të penduar), duke zgjidhur enigma, apo që e quajnë edhe “U Siccu” (I dobëti), dhe se i ka vendosur vetes nofkën ‘Diaboliku’. Po ashtu dihet se ka hequr dorë pas shumë hezitimesh, nga inicialet e qëndisura në mëngët e këmishëve të tij, për shkak se ishte një shenjë potenciale e zbulimit të identitetit të tij, dhe se sërish sipas të penduarve, e mban trupin në formë përmes biçikletës së palestrës.

Pra Denaro ishte nr.1 në mesin e italianëve në arrati, dhe një nga njerëzit më të kërkuar në botë. Herën e fundit që dikush pretendon se e ka parë, ka qenë kur ishte pushime në Forte dei Marmi në gushtin e tij 1993, bashkë me 2 miqtë e tij të besuar Filippo dhe Giuseppe Graviano. Pastaj asgjë më shumë. Historitë që rrëfehen mbi të, përshkruajnë figurën e një mafiozi të pamëshirshëm, i gatshëm të vrasë edhe të pafajshmit, ndoshta më dinak se të tjerët, por sigurisht më i matur, deri në kufijtë e paranojës.

Ai nuk ka qenë asnjëherë në burg. Ka lindur në Castelvetrano (Trapani), në luginën Belice, në vitin 1963. Atje ndoqi shkollën fillore, ​​derisa braktisi InstitutinTregtar Teknik Ferrigno në Castelvetrano.

Në moshën 20-vjeçare, Messina Denaro mori pjesë aktive, së bashku me korleonezët, në luftën kundër familjeve rebele Marsala dhe Belice. Ai u bë një nxënës besnik i Totò Riina. Ai ishte tashmë një mafioz, por merrte nga shteti asistencë sociale për papunësinë. Asokohe, udhëtonte me një makinë Porsche, vishej me rroba të shtrenjta të markës Armani, dhe mbante në dorë një orë të markës Rolex Daytona. Ishte gjyqtari i ndjerë Paolo Borsellino, ai që e përfshiu për herë të parë emrin e tij në një dosje hetimore në vitin 1989.

Leave A Reply

Your email address will not be published.