Analiza satirike e Agron Gjekmarkajt: Nevrik, muzhik, mafioz, palaço e zagar! Babo erdhi në mejdan dhe…

0 180

Nga Agron Gjekmarkaj

Kur të gjithë besuam se lutjet tona drejtuar Zotit do të dëgjoheshin dhe lufta do të prante ajo u ndez më keq.

Mëngjesi filloi pa lajme po në të thinjurin shesh të Kuvendit era frynte e mblidheshin retë.

Debati mes Jorida Tabakut dhe Delina Ibrahimajt i ngjante përballjeve mitike mes Nemesit dhe Demetres!

Flakë nga sipër, zjarr nga poshtë shyqyr që nuk mu përcëlluan qerpikët në atë shkëmbim dhe të mbetesha hukubet.

Elisa e cila duket e hajthme hapi krahëet e saj me një gjest epik mori fjalën dhe si Lokja -Filen e mbështolli nën petk për ta mbrojtur Delinën e plagosur, teksa i thoshte “mos fol mos fol -merr frymë thellë, po vinë tanët”.

Po ajo veç thirri “Rroftë Babo, Rroftë Babo” dhe nuk u përmend më. Bora u këndell në admirim.

Jorida u lëndua gjithëaq po Gaz Bardhi si infermieri Peliçeli i fashonte krahun që pikonte gjak teksa Kapo kalonte lumin e trazuar me not.

Beteja e së mërkurës e zëvendës liderit të “Foltores” Muli kishte lënë mbresa në ndërgjegjen e gjithësecilit po kaq mallëngjim ndëshkimi i tij. Njerëzore është edhe xhelozia që shkaktoi një aksion i tillë tek “lulorja”.

Në ato përmasa duhej një perballje. Bela një mitraloz 32 montonte ngjitë me karrigen e Babos teksa Ulsiut, Nikos dhe Blendit u la detyrë të hapin një hendek me lopatë dhe thasë rërë ngarkuar mbi supe të sillnin.

Duhej një ngjitje në të tillë lartësi medeomos.

Pasi amanetqarët tanë u kthyen nga konsulta me Liderin e vogël historik brenda “Torre Drinit” njëri prej tyre dha kumtin hej dëgjoni o njerëz të ndershëm, e puritanë, dikush këtu ka bërë marrëveshje do të votojë Dvoranë dhe socialistët në këmbim do ti japin votën për Dorian Gjomarkajn një komunist i vjetër Mirëdite, familje e luftës dhe e ndërtimit të socializmit, persekutorët e të djathtës historike pinjoj të së cilës militojnë edhe tek Opozita dhe nuk durojnë të tilla padrejtësi.

E kanë zët komunizmin të uruarit. Pa pa pa, jetën ta lënë në dorë po idealin e demokracisë qelibar kurrë.

U kreshpërua gjindja, puritanet me vrap këndonin “o burra vraponi te ura, tradhëtorin të kapim e të mos ndalim vrapin, ta therim, ta tredhim cjapin, të varim kasapin, ne jemi pro amerikanë, Dvorani nopran, kampion antikorrupsioni ju shpoftë bidoni, Berisha non grata lërini llafet e gjata”.

Një peticion transversal me firma për ti hequr mbështetjen kishin gatitur në shikimin vigjilent të Taos. E hëngri edhe Ledio i ngratë që të mbetej balanca e gjatë.

Por këto ishin detaje të vogla në peisazhen e Guranikës që po vizatohet çast pas çasti.

Çyrbja ishte parë tu printe dymbëdhjetë mushkave nisur nga Shijaku plot me municion ngarkuar.

Gjeneral Kollçaku mblidhte trupat në fund të sallës si Uellingtoni për betejë finale. Kuajt hingëllinin.

Blerina me Klotildën çirrnin faqet teksa shikon Braçen, Xhafën, Taon, Shalsin të ngjeshnin armët dhe drejt frontit niseshin me shikim, drejt horizontit, atje ku pushon fitorja.

Mimi di Puçini me Etildën bënin trahana, pak bukë, djathë e qepë për luftëtarët e lirisë. Toni i bekonte me hirin e Perëndisë duke i çliruar nga mëkatet e njerëzisë, të gjithë ata që me emrin e Babos në gojë do të binin theror!! E lehtë ju qoftë lëndina, bora, akulli e serotina!

Një qaramanllek ndërpreu intensitetin dramatik! Braçja kërkon një bori, “dua të jem borizon, dua të jem borizon, jam i vogël partizan”! Majko me hije komisari, zgjidhi situatën -jepni borinë më te mirë tha se di ti bjerë dhe ashtu u bë.

Në djalë e zu Ikonomin dhe ju la në dorë dy trasta me byrek e petanik, ftohtë është, luftë është le ti kini djem he ju bëfsha!

Nuk mund të mungonte Tezja e cila për tu ngritur moralin u pa një cd me këngë patriotike që ajo vetë i ka kënduar me Tërmetin në zabel si dhe pak kërmë e ndoca faqore rakie.

Tigrushi i veshur me brandavekë xhokë dhe një fes mbi krye për kamuflazh po rrinte mënjanë por Xhafa pasi kishte venë mina aty ku do kalonte makinë e Dvoranit e thirri “eja bir, ti do bësh postierin dhe haberin e fitores do të çosh atje ku e di vete!”.

Po ashtu e veshur me xhublete Margeriti do të kalonte herë pas here në vijën ndarëse të frontit për të hutuar armiqtë që po shtoheshin si kërpudhat. Ajo do shfaqej Bardhit si Athinaja Hektorit.

Klosi u caktua intendent ku do menaxhonte bazën ushqimore nëse rrethimi do të zgjaste!

Një fije sigurie i shfaqej në ballë “nuk do vuaj për bukë”, mendonte!

Teta Gerta u mor me spitalin ambulant dhe u kujdes që shumë fasho, melhem e jod të vinin po të qe nevoja, plagët do ti mjekonte vete.

Doktori kishte bombarduar dy tre herë por fatmirësisht salla qe bosh dhe nuk pat të rënë. Ulsiun e zu rob por e fali me shpirtmadhësi.

E kotë të zgjatemi. Babo erdhi në mejdan, Gaz Bardhi e pret me jatagan dhe gëzimin i bëri haram.

U strukëm, u fshehëm, u zvarritëm po ngado shikoje krahë e krena, tjegulla, qepra mbi bedena. Lindita Nikolla vajtonte “ndalnju ku veni burra, pash zotin lëshoni hutat/pse tepër gjak a derdhun/pse teper bajt kem futat”.

Nevrik, muzhik, mafioz sokëllinte Bardhi si Bajloz dhe shtinte pa mëshire duke strukur Babon në birë. Pastaj Babo dilte në tribunë, të vetët kishte nën gunë dhe sa i hante gurmazi i lodhur nga marazi- vikaste “Palaço, palaço, palaço , o zagar tahmaqar do të bej copa copa do të mbushet vendi plot me gropa”.

Kur të gjithë mendonin që Bardhi po jepte shpirt rishfaqej madhështor në ballë të luftës dhe bulçinjët e tendosur gjuante përsëri e përsëri ” mafioz mafioz s’ na tremb ne Zamiri, Salillari as i biri”.

Babo murretehej e fillonte “ah palaço të rënte pika do të bej cope e çika”. Olta Xhaçka lajmëronte kral e mbret po lufton Babo për dhe të vet.

Bardhi si Muli mbet dëshmor u përjashtua për 10 ditë. i përjetshëm kujtimi i tyre politik.

Kësisoj epopeja mbushej me ngjarje e personazhe, teksa ushtritë bëheshin gati për mësymje finale!! Rapsodi dëshmitar i Kuvendit tha “fort po shndrit e pak po nxeh ajo drita e Kuvendit”!

Leave A Reply

Your email address will not be published.