Alibeaj drejt shkarkimit si kreu i Grupit, pritet ta zëvendësojë Salianji

0 194

Partia Demokratike duket të jetë një “fuçi baruti” që vijon të prodhojë zhvillime të rëndësishme politike, kjo edhe pas vendimit absurd të Enkelejd Alibeajt për të përjashtuar nga Grupi Parlamentar katër deputetët, Tritan Shehu, Agron Shehaj, Belind Këlliçi dhe Oerd Bylykbashi.

Ky vendim duket se ka bërë që në Grupin Parlamentar të lëvizin ekuilibrat pasi është parë si i patolerueshëm nga shumë deputetë dhe zërat janë që në PD po mblidhen firmat për të shkarkuar Enkelejd Alibeajn nga detyra.

Me shumë gjasë zëvendësuesi i tij do të jetë Ervin Salianji, i cili ka marrë iniciativë të bindë deputetët demokratë që t’ia besojnë atij kryesimin e Grupit Parlamentar, parë kjo edhe si një tentativë për bashkimin e dy fraksioneve.

Kjo është konfirmuar edhe nga deputeti Belind Këlliçi, i cili tha se më 8 tetor ka hedhur firmën pro zgjedhjes së Salianjit si kreu i ri i grupit të PD, pavarësisht përplasjeve që mund të kenë pasur gjatë rrugëtimit të tyre politik.

Këlliçi tha se ndonëse më parë kanë menduar ndryshe, duke iu referuar dhe 8 janarit, këtë herë ai i ka dhënë mbështetjen e tij Salianjit dhe beson se kjo nismë bëhet për hir të bashkimit të demokratëve.

“Kam qenë një nga firmëtarët e parë. Unë dhe zoti Salianji, kushdo që ka qenë i përfshirë në historikun e PD në këto 7 vitet e fundit, mbase nuk kemi qenë miqtë më të mirë me njëri-tjetrin, kemi qenë rival dhe kemi vazhduar dhe kemi pranuar rezultatin. Kemi vazhduar karrierën tonë politike. Por për hir të bashkimit të PD-së, unë kam firmosur për zotin Salianjit pa diskutim, me bindjen e absolute se kjo i shërben qetësimit të ujërave në PD dhe një nisme për të bashkuar kë të mundemi”, tha ai për A2.

Këlliçi më tej u shpreh i sigurt se “Enkelejd Alibeaj nuk do të jetë më kreu i grupit parlamentar demokrat”.

“Unë betejën politike e kam vetëm me Edi Ramën dhe Erjon Veliajn, jo me Enkelejd Alibeajn. Jam i sigurt se Alibeaj nuk do të jetë më kreu i grupit parlamentar demokrat. Besoj se do ta zëvendësojë zoti Salianji, por e rëndësishme është që deputetët të zgjedhin kë të duan. Kushdo që bën 50%+1 të votave, le të bëhet. 27 deputetëve i takon që ta zgjedhin”, shtoi Këlliçi.

Leave A Reply

Your email address will not be published.