15 kushtet/Nesho: Sinjal për regjimin autoritar! Beteja e Presidentit Meta e qartë për BE

0 305

Diplomati Agim Nesho, ish-ambasador i Shqipërisë në OKB, analizon aktakuzës nga Gjykata Speciale për Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe për kreun e PDK-së, kadri Veseli. “Serbia nuk mund të zhbëjë rolin heroik të faktorit shqiptar gjatë luftës, ashtu sic nuk arriti të fashitë rolin e NATO-s për veprimin humanitar kundër genocidit, të cilën e akuzoi për krime kundër njerëzimit në Gjykatën e Hagës”.

Në një intervistë për gazetën ”Standard.al”, Nesho thekson edhe se beteja parimore e Presidentit Ilir Meta në mbrojtje të kushtetutës dhe moskapjes së sistemit të drejtësisë tashmë është e qartë për BE-në.

”Presioni i BE-së është për ndryshim rrënjësor dhe ndryshimi nuk vjen me propagandë dhe rregullime sipërfaqësore por me një ristartim të domosdoshëm të demokracisë funksionale në Shqipëri, rifunksionimit të shtetit ligjor, ndaljes së narko-shtetit, dhe luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Kjo është e ardhme që i duhet Shqipërisë dhe kjo vjen me ndryshim të madh”.

Zyra e Prokurorit të Specializuar u dërgoi një javë më parë Dhomave të Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim, në të cilën Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli dhe të tjerë, akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit. Si e gjykoni këtë aktakuzë?

Gjykata Speciale në Kosovë u ngrit si rezultat i akuzave të përsëritura të Serbisë që luftëtarët e UCK kanë kryer krime kundër njerëzve të pafajshëm, tortura, etj., për të delegjitimuar ndërhyrjen humanitare të komunitetit ndërkombëtar në ndihmë të kombit shqiptar kundër të cilit po ushtrohej një genocid i egër nga regjimi kriminal i Milosevicit. Ky proces delegjitimimi jo vetëm i luftës dhe përfaqësuesve të tij por edhe insistimi për të mos njohur Republikën e Kosovës është në bazë të një platforme të mirë menduar të regjimit të Beogradit për të arritur disa qëllime.

Së pari, për të arritur një marrëveshje të re ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku Serbia nga agresor të trajtohet në një mënyrë më të barabartë me viktimën. Ngritja e cështjes së krimeve të kryera nga persona që kanë qenë në udhëheqjen e UÇK-së dhe sot janë liderët e Republikës demokratike të Kosovës bëhet për të justifikuar pasigurinë e jetës së minoritetit serb në Kosovë dhe një zgjidhje të re politike ku Serbia të dalë e fituar.

Së dyti, për të promovuar skenarin serb të ndryshimeve territoriale në Kosovë, gjë që krijon precedentin e krijimit të shteteve të pastra etnike në Ballkan dhe krijon mundësi për krijimin e Serbisë së madhe. Për Serbinë ideja e një Serbie të Madhe dhe të fuqishme në Ballkan është një ide dominante.

Së treti, për të rikthyer influencat e fuqive të tjera si Rusia në Ballkan, si garanci për lojën e saj politike edhe lindje edhe perëndim, dhe hequr nga Ballkani influencën dominuese perëndimore. Gjykata speciale mund të dënojë individë por asnjëherë nuk mund të mohojë rolin e madh dhe të padiskutueshëm të UCK-së, që si aleate e NATO-s, ka në çlirimin e vendit dhe dënimin e genocidit shtetëror të regjimit të Milosevicit.

Serbia nuk mund të zhbëjë rolin heroik të faktorit shqiptar gjatë luftës, ashtu sic nuk arriti të fashitë rolin e NATO-s për veprimin humanitar kundër genocidit, të cilën e akuzoi për krime kundër njerëzimit në Gjykatën e Hagës.

Shihni lidhje të mundshme mes faktit që njoftimi i kësaj aktakuze u bë dy ditë para takimit të parashikuar në Shtëpinë e Bardhë mes delegacionit të Kosovës dhe Serbisë?

Logjika formale të shtyn të besosh që gjykatat perëndimore veprojnë me integritet dhe të pavarura nga politika. Ato veprojnë kur janë të bindur se ka veprime që mund të sjellin pengime të ushtrimit të veprimtarisë së saj. Por shtrirja e veprimeve të rregullta proceduriale mund të besohet si e mundshme, kur ka marrëveshje të mëdha që mund të prekin dhe thelbin e veprimtarisë së saj. Mendohej se marrëveshja e përgatitur mund të përfundonte me një amnisti të plotë për të dy palët, pavarësisht se krimet kundër njerëzimit nuk parashkruhen. Në analizën politike të situatës mund të shikojmë disa elementë:

Së pari, marrëveshja e paraqitur në takimin në Washington ishte një marrëveshje e përgatitur nga Serbia dhe e vetë-ofruar nga liderët ballkanikë. Kjo marrëveshje përjashtonte BE-në dhe rolin e saj parësor në proces si dhe sugjerimin e saj për mos ndryshim të kufijve në Ballkan, që mund të sillte destabilitet dhe rikthim të konflikteve etnike.

Së dyti, marrëveshja e paraqitur nga palët e kthente marrëveshjen e normalizimit të marrëdhënieve të inicuar nga Brukseli, në një marrëveshje të madhe midis fuqive botërore për të negociuar një cështje të mbyllur që tashmë i përket historisë. Inisiativa të tilla të cilat prekin ‘konsensusin’ e madh të arritur midis fuqive të mëdha por edhe brenda Washington-it mund të provokojnë reagime të paparashikuara. Demokracia amerikane vepron duke respektuar institucionet dhe mënyrën institucionale duke mos pranuar inisiativa të cilat motivohen nga interesa të ngushta dhe elektorale. Në këtë drejtim unë mendoj që vënia në lëvizje e procedurës së akuzës mund të ketë edhe motive politike. Në Prishtinë mendojnë se ky ishte një komplot kundër administratës Trump dhe inisiativës së saj për paqe mes dy vendeve.

Përpara se të gjykojmë për këtë veprim duhet të shikojmë se kush përfiton nga ky veprim. Së pari, nga ky veprim përfiton regjimi serb, i cili kërkon avantazh në bisedimet midis dy vendeve, duke barazuar pozitën e agresorit me të viktimës. Gjithashtu duke prishur takimin i jep rast Rusisë që të jetë pjesë e negociatave në të ardhmen.

Së dyti, fuqitë europiane të margjinalizuara dhe të përjashtuara nga procesi i negociatave mes dy vendeve europiane, për më tepër që kërkojnë me insistim të bëhen pjesë e Bashkimit Europian.

Së treti, prishja e takimit mund të ishte në avantazh të disa aktorëve të negociatave, të cilët kërkonin një ‘presion’ të madh ndaj palës kosovare për të pranuar cdo propozim të hedhur në tavolinën e bisedimeve. Kjo për arsye se prokurori kryesor i Gjykatës Speciale ishte i kësaj administrate dhe takimi i Washington-it ishte fillimi i një procesi të gjatë negocimi për arritjen e një marrëveshjeje.

Parlamenti Europian miratoi më 20 Qershor rezolutën për “Ballkani Perëndimor”, ku një pjesë e saj lidhet drejtpërsëdrejti me Shqipërinë. Ndër të tjera në të, theksohej se Shqipëria duhet të përmbushë 15 kushtet e Bashkimit Europian para konferencës së parë ndërqeveritare. Cili është komenti juaj mbi këtë akt që mund të cilësohet si i paprecedentë nga ky institucion, marrë shkas nga fakti se PE i ka dhënë gjithnjë shtysë integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE…

Rezoluta për Ballkanin Perëndimor në Parlamentin Europian tregon një rritje të interesit të BE-së ndaj një rajoni problematik akoma të paintegruar por me shumë rëndësi për të ardhmen e Europës dhe arkitekturës së saj të sigurisë. Përfshirja e 15 pikave që duhet të përmbushen nga Shqipëria përpara nisjes së procesit të negociatave është një rast i paprecedent. Ky akt tregon seriozitetin e negocimit nga vendet e BE-së por edhe situatën shumë kritike të zhvillimit të shtetit ligjor në Shqipëri.

Evidentimi i Shqipërisë në mënyrë të veçantë është një këmbanë alarmi dhe një sinjal jo vetëm për regjimin autoritar të Ramës që rruga europiane do të jetë e mbyllur për Shqipërinë, por edhe për opinionin publik shqiptar i cili duhet të zgjohet dhe të jetë aktiv kur e ardhmja e tij rrezikohet. Te 15 pikat e parashtruara nga Bundestag-u gjerman por edhe shtete si Holanda, flasin qartë që Shqipëria vazhdon të mbetet në një krizë institucionale dhe vendi në një ngërç të demokracisë.

Plotësimi i këtyre kushteve do të jetë i vështirë për t’u arritur nga qeveria se prekin vetë mënyrën e veprimit të saj. Unë e shikoj të pamundur që një qeveri të dënojë krimin elektoral të cilin e ka motivuar vetë. Prandaj dalja nga kjo situatë është ngritja sa më shpejtë e institucioneve të nevojshme të drejtësisë dhe zgjedhjet e reja. Zgjedhjet e reja duhet jo vetëm në funksion të procedurës demokratike por në funksion të nevojës për ndryshim. Në qoftë se nuk ka ndryshim nuk ka progres, dhe pa progres nuk ka të ardhme europiane.

Në fakt zyrtarizmi i 15 kushteve ndodhi që në mars, kur Këshilli vendosi hapjen e negociatave. Trysnia e Bundestagut solli shtimin e kushteve, ndërsa u kërkua për herë të parë edhe ndëshkimi i krimeve zgjedhore. A vëreni një presion të shtuar ndërkombëtar mbi Qeverinë shqiptare?

Sigurisht që vendet europiane e kanë rritur presionin ndaj qeverisë së “Rilindjes”, që po rrëshqet drejt një regjimi autokrat dhe jo-liberal. Akti i shembjes së Teatrit Kombëtar në kohën e krizës së pandemisë Covid-19 tregoi qartë për europianët funksionimin e regjimit shqiptar. Beteja parimore e Presidentit Ilir Meta në mbrojtje të kushtetutës dhe moskapjes së sistemit të drejtësisë tashmë është e qartë për BE-në. Presioni i BE-së është për ndryshim rrënjësor dhe ndryshimi nuk vjen me propagandë dhe rregullime sipërfaqësore por me një ristartim të domosdoshëm të demokracisë funksionale në Shqipëri, rifunksionimit të shtetit ligjor, ndaljes së narko-shtetit, dhe luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Kjo është e ardhme që i duhet Shqipërisë dhe kjo vjen me ndryshim të madh.

Leave A Reply

Your email address will not be published.