100 ditë në Kosovë – përshtypjet e një të sapoardhuri

0 199

Nga Olivier Guérot – 

Si ambasador i ri i Francës në Kosovë, po ju jap përshtypjet e mia të para: arti i të jetuarit, rinia, dëshira për njohje, nevoja për pajtim dhe diversiteti i madh në një territor të vogël

Kam ardhur në Kosovë tre muaj më parë, janë bërë pothuajse 100 ditë. Ishte hera ime e parë në Kosovë. Sigurisht, e njihja historinë e saj më të re: fundin e Jugosllavisë, luftërat që e shoqëruan. Si një diplomat i ri, kam ndjekur për disa kohë dosjen e çarmatimit të planit të Dejtonit. Dhe, si gjithë të tjerët, kam ndjekur ngjarjet e viteve 1998 dhe 1999. A mjafton kjo për të thënë se e njohim Kosovën? Jo, sigurisht. Prandaj, kam punuar, kam lexuar dhe mbi të gjitha, gjatë këtyre tre muajve të parë, kam udhëtuar nëpër Kosovë dhe kam njohur sa më shumë njerëz që kam mundur, duke qenë i vetëdijshëm se ka ende shumë personalitete të tjera të shquara për t’i takuar. Dëshiroj t’i ndaj me ju përshtypjet e mia të mbledhura gjatë 100 ditëve të para në Kosovë.

Përshtypja ime e parë është arti i të jetuarit në Kosovë. Gjatë fundjavës sime të parë në Prishtinë, kam shëtitur nëpër qytet, duke ecur rrugëve pa pasur ndonjë cak. Në bulevardin “Nënë Tereza” sigurisht, por edhe në rrugët përreth, ashtu pa kërkuar ndonjë vend të caktuar, ngado që më shpinte rastësia. E ndjeva menjëherë këtë atmosferë të bukur, të ngrohtë, që krijonin tarracat e kafeneve apo restoranteve. Kur ngrohtësia e miqësisë vërshon në rrugë, vetë rruga thjesht bëhet më mikpritëse. Dhe ky art i të jetuarit, duke shfrytëzuar një pjesë të hapësirës publike, më kujton vendin tim, Francën. Ditët e para në një vend të ri janë gjithmonë shumë të paparashikuara dhe është një moment i veçantë kur gjen diçka nga vendi yt, larg vendit tënd.

Një vend i ri dhe i ngrohtë

Gjatë kësaj shëtitjeje, disi spontanisht, bëra një foto të një rruge që më kishte magjepsur. E postova në llogarinë Twitter që sapo e kisha hapur. Ky postim nxiti një numër shumë të madh komentesh pozitive, të cilat më befasuan me përmasat e tyre dhe kjo ishte përshtypja ime e dytë, e konfirmuar nga shumë biseda të tjera: Sikur shumë vende të tjera, por ndoshta më shumë se të tjerat, Kosova dhe qytetarët e saj kanë dëshirë për njohje, për të pasur vizibilitet, për t’u kuptuar. Kjo është normale duke pasur parasysh historinë e vendit dhe marrëdhëniet e vështira me Serbinë. Ka njohje institucionale dhe ajo e Francës është arritur. Ne ishim shteti i dytë që e njohëm Kosovën. Në vitin 2008. Miqësia e Francës fitohet me kalimin e kohës, në kohë të vështira dhe në kohë të lumtura. Puna ime nuk është vetëm ta përfaqësoj Francën në Kosovë. Ajo konsiston gjithashtu në shpjegimin e Kosovës në Francë dhe unë do të angazhohem për këtë çdo ditë të mandatit tim.

Përshtypja e tretë: popullsia e re. Të lexosh statistika, të shikosh shifra mbi moshën mesatare të popullsisë në raportet e përpikta është një gjë. Të kesh konfirmim për këtë gjatë ecjes është tjetër gjë, shumë më e fortë. Është kjo rini që kontribuon në atmosferën e ngrohtë në rrugë që përmenda më lart. Një rini e relaksuar, e këndshme, e orientuar drejt Evropës dhe gjithashtu studioze. Tashmë kam takuar një numër studentësh kosovarë dhe jam befasuar nga përkushtimi i tyre. Në Francë janë më shumë se 400 studentë kosovarë. Do të mund të kishte më shumë! Të dashur studentë, pyesni universitetet tuaja se si të merrni pjesë në një program Erasmus plus. Ose, kontaktoni Aleancën Franceze të Prishtinës. Dhe, për ju që nuk flisni frëngjisht, ju rikujtojë se ka një numër shumë të madh të programeve/kurrikulave në Francë në anglisht që mund t’ju interesojnë.

Pajtimi nuk është asnjëherë i lehtë, por gjithmonë i mundur

Kjo është një thirrje, të cilën ua drejtoj edhe studentëve të Universitetit të Mitrovicës së Veriut, ndonëse nuk e di nëse do ta lexojnë këtë artikull. Kjo është përshtypja ime e katërt që dëshiroj ta ndaj: distanca ndërmjet komunitetit serb dhe komunitetit shqiptar. Është padyshim ajo që disa e mbajnë qëllimisht, por është një realitet që nuk mund të injorohet. Madje, duhet të përballemi, domethënë të flasim me njëri-tjetrin, jo vetëm nëpërmjet deklaratave publike në media, që të mund ta tejkalojmë. Pajtimi nuk është kurrë i lehtë.

Kujtimi i konflikteve, tragjedive, vrasjeve, përdhunimeve transmetohet në heshtje nga një gjeneratë në tjetrën brenda familjeve. Mos llogarisni se me kalimin e kohës do të tejkalohen inatet. Përkundrazi, nëse nuk bëjmë asgjë, konflikti i një kohe të caktuar kthehet në një konflikt të ashtuquajtur të trashëguar. Pajtimi nuk është kurrë i lehtë, por është gjithmonë i mundur. Nuk ka fatalitet. Miqësia e rikthyer midis Francës dhe Gjermanisë, pas oqeaneve të urrejtjes dhe rrëkeve të gjakut, e dëshmon këtë. Janarin e ardhshëm do ta festojmë 60-vjetorin e Traktatit midis Francës dhe Gjermanisë, i cili ka vendosur instrumente konkrete për afrimin e popujve tanë dhe veçanërisht të të rinjve tanë. Ky sukses është sigurisht një burim frymëzimi, por nuk ofron asnjë udhëzim të gatshëm për përdorim. Secili konflikt është unik dhe tani u takon liderëve të të dyja vendeve, Republikës së Kosovës dhe Serbisë, liderëve të të gjitha komuniteteve në Kosovë që të tregojnë rrugën drejt pajtimit. Ata kanë një përgjegjësi historike në mënyrë që diversiteti njerëzor i Kosovës të jetë një pasuri.

Sepse, vendi juaj i bukur, Kosova, është i pasur me diversitetin e tij. Për diversitetin njerëzor që sapo përmenda dhe gjithashtu për diversitetin e tij gjeografik. Kjo është përshtypja e fundit që dua ta ndaj me ju, të dashur lexues. Është për mua një kënaqësi e ripërtërirë vazhdimisht për sytë të shohin peizazhin që ndryshon kaq shumë në kaq pak kilometra. Çfarë kontrasti mes Grykës së Rugovës dhe Rrafshit të Dukagjinit. Mjaftojnë disa dhjetëra minuta me veturë për të kaluar nga kodrat e valëzuara rreth Prekazit në shpatet e thepisura të Bjeshkëve të Nemuna. Përndryshe, ky emër më bën të ëndërroj, ndonëse supozoj se nuk i është dhënë kot dhe se ai dëshmon për ashpërsinë e jetës në këtë zonë. Çfarë llojllojshmërie ndërmjet qendrës së Prishtinës, me ndërtesat e saj, me hijeshinë disi të veçantë të ndërtimeve të viteve 1960–70, asaj të Prizrenit me një atmosferë pothuajse osmane apo Pejës, atmosfera e së cilës më kujton paksa La Savoie, në Alpe, apo edhe dinamizmi industrial i Ferizajt dhe sigurisht i Mitrovicës, ura e saj dhe monumenti i minatorëve. Ky përshkrim i shkurtër dëshmon se nuk i kam parë të gjitha në Kosovë, ka shumë për të parë dhe pres me padurim këtë vit të ri 2023 që do të më mundësojë ta njoh më mirë këtë vend dhe qytetarët e tij dhe mbi të gjitha të punojmë për t’i afruar të dyja vendet tona, për të lehtësuar shkëmbimet njerëzore dhe tregtare.

Autori është ambasador i Francës në Kosovë

Leave A Reply

Your email address will not be published.